Me datë 14 shkurt 2020, avokati Tomë Gashi vërehet i inçizuar në një video duke shqelmuar pakon dhe personalisht një qytetar të Republikës së Kosovës përderisa ai po kërkonte lëmoshë në sheshin ‘’Nëna Terezë’ në Prishtinë”.
Pasi ngjarja u bë publike në mediat kryesore, vetë avokati Gashi reagoi përmes një postimi në Facebook duke shkruar ‘’Tu e kry punën e inspekcionit mas dy vjet britmash te qmendura dit e nat ne sheshin Nënë Tereza ne Prishtinë! Keta kan shefa me mercedesa dhe jan tregu per mbi 2 vite grup me i organizuar se inspekcioni i Prishtines! Keshtu nuk ka ne sheshin Skenderbeu ne Tirane!”, deklaratë kjo e cila legjimiton dhunën dhe shkel të drejtën themelore për dinjitet.
Pas ngjarjes, YIHR KS ka organizuar një protestë para zyrës së avokatit Tomë Gashi, me qëllim që të dënoj sjelljen abuzive të avokatit dhe të kundërshtojë akte të tilla të dhunës. Përmes protestës, YIHR KS ka shprehur indinjatën ndaj veprimeve diskriminuese dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.
Të bindur që veprimet e tilla duhet të dënohen dhe të mos mbesin në harresë, YIHR KS ka dorëzuar një fletëparaqitje në Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK) për avokatin Tomë Gashi duke kërkuar nga OAK që të fillojë një procedurë të pavarur, profesionale dhe të pa-anshme hetimore, të administrojë provat e paraqitura dhe të shqiptoj masat adekuate të përcaktuara me ligj dhe aktet e brendshme të Odës së Avokatëve.
YIHR KS pret që Oda e Avokatëve të ndërmarr hapa konkret dhe të shqyrtojë me kujdes fletëparaqitjen e dorëzuar, andaj YIHR KS do të përcjell dhe monitoroj vazhdën e procesit.