Fondi për të Drejtën Humanitare (FHP), Gratë në të zeza, Komiteti i Sanxhakut për mbrojtjen e të drejtave të Njeriut dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut kujtojnë se familjet e viktimave kanë 26 vjet që presin drejtësinë në Serbi dhe njohjen e statusit të familjeve të viktimave civile të luftës.
Ata do të shënojnë përvjetorin e krimit në Shtrpci të martën më 27 Shkurt 2019, duke filluar në orën 15:48 përpara hyrjes në Stacionin kryesor hekurudhor në Beograd, dhe me këtë rast ftojnë qytetarët, përfaqësuesit e institucioneve, mediave dhe organizatave joqeveritare që të bashkohen
Viktimat e këtij krimi janë: Esad Kapetanoviq, Ilijaz Liçin, Fehim Bakija, Sheqo Softiq, Rifat Husoviq, Halil Zupçeviq, Senad Gjeçeviq, Jusuf Rastoder, Ismet Babaçiq, Tomo Buzov, Adem Alomeroviq, Muhedin Haniq, Safet Preljeviq, Xhafer Topuzoviq, Rasim Qoriq, Fikret Memoviq, Fevzija Zekoviq, Nijazim Kajeviq, Zvjezdan Zuliçiq dhe një person i paidentifikuar.
Deri tani janë gjetur mbetjet mortore të vetëm katër viktimave. Trupi i Halil Zupçeviq u gjet në fund të vitit 2009 në bregun e liqenit Peruqac, ndërsa mbetjet mortore të Rasim Qoriq, Jusuf Rastoder dhe Ilijaz Liçina janë gjetur në të njëjtin liqen në vitin 2010, ndërsa viktimat e tjera kërkohen ende.
Për këtë krim deri tani janë dënuar me formë të prerë vetëm Nebojsha Ranisavljeviq dhe Miqo Joviçiq. Nebojsha Ranisavljeviq në vitin 2003 u dënua me 15 vjet burg përpara Gjykatës së Lartë në Bijelo Polje (Mali i Zi). Miqo Joviçiq, i cili ishte në procedurë përpara Gjykatës së Bosnja Hercegovinës, e pranoi akuzën dhe u dënua në pesë vjet burg.
Për këtë krim në Shtrpci përpara Gjykatës së BH aktalisht po bëhet gjykimi i dhjetë të akuzuarve, ndër të cilëve janë Luka Dragiçeviq, Komandanti i Brigadës VRS të Vishegradit dhe Boban Ingjiq, Komandanti i Çetës Ndërhyrëse në Brigadën e Vishegradit. Në Tetor të vitit 2018, Gjykata e Apelit në Beograd e konfirmoi pas tre vitesh e gjysëm aktakuzën kundër pesë pjesëtarëve të Brigadës së Vishegradit të VRS për krimin e kryer në Shtrpci. Edhe pse fillimi i seancës kryesore ishte caktuar për muajin Janar të vitit 2019, ai u shty për shkak të sëmundjes së njërit prej të akuzuarve.
Familjet e viktimave, prej të cilëve shumica ishin shtetas të Serbisë, janë ballafaquar prej dy dekadash me injorimin e organeve shtetërore kompetente për përkujdesjen ndaj viktimave civile të luftës (Ministria e Punës, Punësimit dhe Çështjeve Sociale dhe të Veteranëve – në tekstin e mëtejshëm Ministria e Punës). Anëtarët e familjeve të viktimave të këtij krimi, si pasojë e kornizës rregullative diskriminuese në Serbi, e cila ua mohon të drejtat vetëm për arsyen se vdekjet kanë ndodhur jashtë territorit të Serbisë, edhe pse qytetarët ishin të Serbisë, nuk mund të marrin statusin e familjarëve të viktimave civile të luftës, i cili do t’u siguronte përfitimet simbolike në formën e pagesave mujore dhe mbështetjes sociale.
Papërshtatshmëria dhe zbatimi diskriminues i ligjeve ekzistuese me vite të tëra janë temat e theksuara të viktimave dhe shoqatave të tyre, FHP-së dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile. Pavarësisht nga ankesat serioze të faktorëve vendas dhe ndërkombëtarë, ky ligj nuk është ndryshuar ende, por Ministria e Punës ka hartuar një Projektligj për mbrojtjen e veteranëve-invalidëve i cili ende përmban zgjidhje diskriminuese.
FHP, Gratë në të zeza, Këshilli i Sanxhakut për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut kërkojnë nga institucionet e Serbisë që të zbatojnë në mënyrë efikase procedurën penale për këtë krim, ndërsa nga Ministria e Punës dhe institucionet e tjera kompetente kërkojnë që të miratohet një ligj i ri i bazuar mbi Modelin e ligjit të të drejtave të viktimave civile, në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut në konfliktet e armatosura dhe në lidhje me konfliktet e armatosura në periudhën nga viti 1991 deri 2001, i cili përmban zgjidhjet normative për realizimin e të drejtave të viktimave në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe standardet e tjera ndërkombëtare të ofrimit të dëmshpërblimit për viktimat.