Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi (YIHR Serbia) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR Kosova) dënojnë bashkërisht ndalimin e pajustifikuar të qytetarëve kosovarë në Serbi.

Veprimet e tilla të policisë ngjallin dyshime për ndalime të motivuara politikisht dhe ligjërisht të pajustifikueshme, që ndalohen si nga legjislacioni vendor ashtu edhe nga standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut me të cilat Serbia është e detyruar, siç është Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në vazhdën e zhvillimeve të fundit, ndalimi i pajustifikuar i zyrtarëve policor të Kosovës dhe veprimet e ngjashme të njëanshme minojnë drejtpërdrejt procesin e normalizimit duke thelluar hendekun ndërmjet dy shoqërive. Ky veprim ndodhi menjëherë pas miratimit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për kërkesën e Kosovës për anëtarësim. Koha e këtyre arrestimeve përkon dukshëm me një deklaratë të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili, vetëm tre ditë më parë, kishte deklaruar në një ngjarje ushtarake në Beograd më 14 prill: “Kushdo që cenon rendin kushtetues të Serbisë, qoftë përmes protestave apo demonstratave, do të mbajë përgjegjësi. Kjo vlen edhe për të gjithë shqiptarët e përfshirë”. Kjo deklaratë dhe arrestimet e mëvonshme vënë në pah tensionet dhe masat hakmarrëse që po zbatohen.

Si YIHR Serbia, ashtu edhe YIHR Kosova u bëjnë thirrje qeverive të Serbisë dhe Kosovës që t’i adresojnë këto çështje përmes dialogut, duke respektuar marrëveshjet e nënshkruara më parë, siç është marrëveshja për lirinë e lëvizjes, e cila është shkelur qartë në këtë rast nga Serbia. Pengimi i qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë lirisht nëpër Serbi dhe ndalimi i tyre brenda Serbisë është i papranueshëm, pasi është e papranueshme mungesa e vullnetit politik si nga Serbia ashtu edhe nga Kosova për të zbatuar plotësisht Marrëveshjen e fundit të Ohrit (2023) dhe marrëveshjet e tjera tashmë të arritura në procesin e normalizimit.

Ndalimi i policëve të Kosovës më 17 prill, përfshirë zëvendësdrejtorin Dejan Jankoviq, është veçanërisht shqetësuese në vazhdën e rrëmbimit të tre oficerëve të tjerë kosovarë në qershor të vitit 2023. Në këtë incident tre policë të Kosovës u akuzuan më pas nga Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Kraljevë për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paligjshëm të armëve dhe materialeve shpërthyese. Megjithatë, hetimi për rrëmbimin në vetvete mbetet i pazgjidhur, me detaje thelbësore ende të paqarta, si identiteti i autorëve dhe mënyra se si këta oficerë u larguan me forcë nga Kosova dhe u transportuan në Serbi. Kjo mungesë qartësie dhe natyra serioze e këtyre incidenteve rrit kompleksitetin dhe tensionet në marrëdhëniet e vazhdueshme rajonale.

Lidhur me këtë, deklaratat e Ana Brnabiq, kryetare e Kuvendit Nacional të Serbisë, ku shprehë pritjet e saj për lavdërime ndërkombëtare për veprimet e policisë serbe më 17 prill, është e pavend dhe nuk i shërben frymës së normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.