Të hënën, më 23 janar, Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut në Sërbi (YIHR Serbia) ka paraqitur një ankesë pranë Komisionerit për mbrojtjen e barazisë për shkak të diskriminimit të pjesëtarëve të kombit shqiptar nga Agjencia për Siguri dhe Informacion (BIA), duke qenë se BIA në njoftimin e saj publik datës 27 dhjetor 2022, ka theksuar se i dyshuari për veprën e terrorizmit është i nacionalitetit shqiptar.

Përmendja e përkatësisë kombëtare, fetare, ideologjike ose politike të të dyshuarit lejohet vetëm në rast se është kryer një vepër penale në lidhje me atë përkatësi. Duke qenë se terrorizmi nuk mund të lidhet me asnjë kombësi, është e qartë se intoleranca dhe frika ndaj shqiptarëve po përhapet në këtë mënyrë. Njoftimi është edhe më problematik nëse merret parasysh se është publikuar në një kohë tensioni në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Një numër i madh mediash në Serbi më pas raportuan njoftimin e BIA-s në formën e tij origjinale, diskriminuese. Deklarata e BIA-s është edhe më problematike, nëse merret parasysh se shqiptarët në mediat në Serbi shpesh paraqiten si “terroristë”, si ata që “cikojnë armët” dhe që janë “të padëshirueshëm”. Për këtë kontribuojnë deklaratat e politikanëve, veçanërisht deklaratat e drejtorit aktual të BIA-s, Aleksandar Vulin. Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve, veçanërisht në momentet e tensioneve politike, nxit diskriminimin, radikalizimin e shoqërisë dhe mund të çojë në dhunë dhe krime të urrejtjes.

Këtë e ka mbështetur edhe gjuajtja me gurë e autobusit më 7 janar 2023, i cili po udhëtonte në linjën Cyrih-Prishtinë. Sulmi ndodhi një ditë pasi një pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) plagosi dy pjesëtarë të nacionalitetit serb – një burrë 21-vjeçar dhe një djalë 11-vjeçar – në ditën e Krishtlindjeve ortodokse në Shtërpce.

I bëjmë thirrje Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë që t’i përgjigjet deklaratës diskriminuese të BIA-s, si dhe mediave të respektojnë Ligjin për Ndalimin e Diskriminimit dhe Kodin e Etikës së Gazetarëve Serbë, veçanërisht pjesën që thotë se “a gazetari duhet të jetë i vetëdijshëm për rrezikun e diskriminimit që mund të përhapet nga media dhe do të bëjë gjithçka për të shmangur diskriminimin e bazuar, ndër të tjera, në racë, gjini, moshë, orientim seksual, gjuhë, fe, mendim politik dhe opinione të tjera, kombëtare ose origjina sociale”.

Duke marrë parasysh planin aktual franko-gjerman për një marrëveshje të re ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila do të normalizonte marrëdhëniet dhe do të siguronte paqen, u bëjmë thirrje autoriteteve të dënojnë sulmet dhe frikësimin e shqiptarëve dhe të ndalojnë përhapjen e gjuhës së urrejtjes kundër komunitetit shqiptar.

Ankesën mund të lexoni këtu:

Foto: BETAPHOTO/ BRANISLAV BOŽIĆ/MO