Përgjegjësia për vdekjen e tyre, sipas gjendjes së fakteve të vërtetuara nga gjykata, bie mbi ish-drejtorin e Radio Televizionit të Serbisë Dragoljub Millanoviq, i cili nuk i kishte njoftuar punonjësit e tij, pavarësisht se kishte njohuri se ndërtesa do të bombardohej.
Dragoljub Millanoviq, si edhe vetë regjimi kriminel i Sllobodan Millosheviqit, në të cilin Aleksandar Vuçiq ishte Ministër i Informimit, kishin vendosur që të sakrifikonin njerëz të pafajshëm.
Me rastin e 20-vjetorit të këtij krimi, më 23 Prill të vitit 2019, në orën 02:04 dhe 14:04, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Gratë në të zeza do të jenë të pranishëm në përkujtimin e punonjësve të vrarë të Radio Televizionit të Serbisë, përpara monumentit “Pse?” për të treguar dhembshuri dhe solidaritet me familjet e të vrarëve. Gjatë përkujtimit do të jenë të pranishme edhe gratë nga komunitetet e viktimave dhe të mbijetuarve nga Bosnja Hercegovina nga Srebrenica, zona e Zvornikut (Gjuliqi, Klisa, Sapna), nga Kroacia (Zagreb dhe Novska), si edhe aktivistet e Rrjetit të Grave në të zeza nga Serbia.
Si edhe në vitet e mëparshme, edhe këtë 23 Prill:
· Do të nderojmë punonjësit e vrarë të RTS-së,
· Do të tregojmë dhembshuri dhe solidaritet me familjet e të vrarëve,
· Do t’ua drejtojmë përsëri kërkesën autoriteteve të shtetit të Serbisë që t’i dëmshpërblejnë familjet e viktimave dhe të pranojnë përgjegjësinë për këtë krim.
Me këtë rast shprehim respekt të madh ndaj grave – viktimave të krimeve të luftës nga zona e ish-Jugosllavisë, të cilat e kanë kthyer tragjedinë dhe dhimbjen e tyre në një luftë të përbashkët për paqe dhe drejtësi, jashtë dhe përtej të gjitha ndarjeve dhe kufijve shtetërorë.