Nisma kërkon nga Nikola Shainoviq që të kërkojë falje publikisht, në mënyrë të qartë dhe të padyshimtë , nga familjet e viktimave civile shqiptare në Kosove, për vrasjet e të cilëve është dënuar. Kriminelët e luftës duhet të kërkojnë falje nga viktimat dhe të flasin publikisht për përgjegjësinë dhe fajin personal në vend se të mohojnë veprat e tyre, ndërsa shërbimet mediatike si puna e RTS-së duhet t’u japin më shumë zë familjeve të viktimave sesa atyre që nderojnë, relativizojnë dhe zvogëlojnë humbjet njerëzore. Të martën më 26 Mars, Shainoviq ishte ftuar në RTS si pjesë e emisionit “Pikëpyetje” ku ishte prezantuar si “aktor i kohës dhe negociues në Rambuje”. Edhe pse ai e përmendi gjatë emisionit se ishte dënuar për krimet e luftës, nuk u bë fjalë as pyetje për përgjegjësinë e tij për viktimat civile në Kosovë. Shainoviq nuk është një kronist i kohës por një kriminel i dënuar i luftës i cili – nëse është tashmë në Shërbimin publik, gjë që përbën problem në vetvete – duhet të pyetet për krimet dhe përgjegjësinë personale. Gjithçka tjetër përbën mohimin e krimeve dhe përbuzjen e viktimave në bashkëveprim të RTS-së dhe Nikola Shainoviqit.
Gjithashtu, Nikola Shainoviq ishte ftuar në një tribunë publike të shtunën më 23 Mars “Në prag të luftës, 20 vjet më vonë” në Muzeun e Aviacionit i cili është institucion publik në pronësinë e Republikës së Serbisë, ku nëpërmjet një narrativi për mbrojtjen nga agresioni ndaj vendit, u relativizua roli i tij në krimet e luftës në Kosovë, gjë që mund të shihet në videon e tribunës. Përveç kësaj, Bordi i Partisë Socialiste në Vrbas paralajmëroi nëpërmjet faqes së tyre të Facebook-ut se Nikola Shainoviq në atë qytet, në Kinemanë “Jugoslavija” do të mbajë një leksion me temën “Sllobodan Millosheviq dhe sfidat e krizës jugosllave” të enjten më 28 Mars nga ora 18h.
Le të kujtojmë, Nikola Shainoviq është ish-Nënkryetar i Qeverisë së RFJ, të cilin e ka dënuar me formë të prerë Tribunali i Hagës për krimet kundër njerëzimit dhe shkeljen e ligjeve dhe zakoneve të luftës në Kosovë gjatë vitit 1999. Ndër pikave të aktakuzës në bazë të së cilës është dënuar janë deportimi dhe veprat e tjera johumane, vrasjet dhe dëbimet mbi baza politike, racore ose fetare me qëllim të shpërnguljes me forcë të një pjese të
Shqiptarëve të Kosovës dhe ndryshimit të ekulibrit etnik të Kosovës ku do të vendosej kontrolli i Serbisë përsëri. Shainoviq u dënua në 18 vjet burg. Pasi ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai u kthye në Beograd në vitin 2015 ku menjëherë u emërua anëtar i Bordit Kryesor të SPS-së, ndërsa sot kryen funksionin e anëtarit të presidencës së kësaj partie.
Përfaqësuesit më të lartë të pushtetit, partitë politike dhe lëvizjet, organet shtetërore, institucionet publike dhe shërbimi publik, mediat dhe shtëpitë botuese në pronësi të shtetit, janë bashkuar muajt e fundit në një fushatë intensive të promovimit dhe legjitimizimit të kriminelëve të luftës në hapësirën publike të Serbisë.
Mbështetja dhe lavdërimi i kriminelëve të luftës nënkupton mbështetjen e politikës kriminale, justifikimin dhe lavdërimin e krimeve të kryera.
Kriminelët e luftës nuk janë heronjtë tanë dhe duhet të heshtin në mënyrë që të flitet për viktimat.
Foto: Screenshot/ Radio televizioni i Serbisë