Besojmë se Kryeministri Pllenkoviq dhe Qeveria e Republikës së Kroacisë do të vazhdojnë të kontribuojnë në realizimin e pajtimit dhe të drejtave të viktimave dhe se Kryeministri do të marrë përgjegjësi për zbatimin në vepër e fjalëve të shqiptuara dje. Gjithashtu shpresojmë se edhe qasja e demonstruar dje nga Kryeministri kroat, në ballafaqimin me ngjarjet e viteve nëntëdhjetë, do të motivojë edhe udhëheqjen politike të Republikës së Serbisë që të ndryshojë qëndrimet e saj dhe të bëjë të njëjtën gjë, duke pranuar viktimat e luftërave të viteve nëntëdhjetë nga ana serbe si dhe të drejtat e tyre.
Në fjalimin e tij, Pllenkoviq gjithashtu kujtoi edhe faktin se shumë qytetarë kroatë të kombësisë serbe ishin të detyruar të iknin para forcave kroate dhe theksoi se pajtimi duhet të bazohet mbi faktet dhe drejtësinë për të gjitha viktimat dhe se është e rëndësishme që të vazhdojë procedimi i kriminelëve të luftës.
Këto janë mesazhe të rëndësishme për shoqëritë të cilat bazohen dhe synojnë të bazohen mbi sundimin e së drejtës, respektimin e të drejtave të njeriut, paqen dhe advokimin aktiv për njohjen dhe realizimin e të drejtave të të gjitha viktimave të luftërave të viteve nëntëdhjetë.
“Si vend fitues në një lufte të imponuar, shprehim keqardhje për të gjitha viktimat civile, jo vetëm Kroatë por edhe Serbë. Me trishtim përkujtojmë qindra mijë refugjatë të dëbuar nga vatrat e tyre. Shprehim keqardhje edhe për viktimat e krimeve të luftës të kryera nga ana kroate, çdo akt i tillë është një shenjë e dhimbshme dhe e shëmtuar në fytyrën e drejtë të Luftës për Atdhe. Jemi të vetëdijshëm se fitorja jonë në Stuhi ka qenë traumatike për shumë Serbë të Kroacisë. Ndërsa për shumicën e Kroatëve kjo ishte ikje e detyruar, për shumicën e Serbëve ishte ikje para forcave kroate. Kroacia ka bërë shumë përpjekje për të siguruar kthimin e atyre Serbëve të cilët donin të ktheheshin dhe ende ka shumë vështirësi për kthimin e tyre, ndaj kemi ende shumë punë për të bërë. Gjatë gjithë kohës së luftës, shumë Serbë të Kroacisë ndanin fatin e bashkëqytetarëve të tyre kroat, ndërsa shumë prej tyre ishin edhe veteranë. Është e rëndësishme që Serbët e Kroacisë të mos e shohin Stuhinë vetëm si eksod , por edhe si fund lufte. Në fund duhet të shprehim nderim ndaj viktimave të pafajshëm serbë, duke mos e vënë në diskutim drejtësinë dhe legjitimitetin e Luftës për Atdhe. Përkundrazi, kështu tregojmë shpirtmadhësinë e fituesit, i cili pas gjithçkaje ende shpreh keqardhje për krimet. Të njëjtën gjë presim dhe nga përfaqësuesit e Serbëve në Kroaci, të cilët duhet të shprehin nderim të qartë ndaj viktimave kroatë. Shoqëria kroate duhet të ecë përpara, pajtimi duhet bazuar mbi fakte dhe drejtësi për të gjitha viktimat. Të gjitha krimet që nuk vjetërsohen, do të vazhdojnë të procedohen.” – Andrej Pllenkoviq, 5.8.2020, Knin