Ditën e parë pjesëmarrësit kishin mundësi të njiheshin me krijimin dhe veprimin e njësive të ndryshme paramilitare (Akrepat, JATD, Shqiponjat e Bardhë, Grenxat e Verdhë etj.) si dhe lidhjen e tyre me MPB-në e Serbisë, UPJ-në dhe Shërbimin e Sigurimit Shtetëror të Serbisë. Më së pari, një grup të rinjsh nga Vrnjaçka Banje, Çaçaku, Mitrovica, Novi Sadi, Nishi dhe Beogradi pati mundësi që të shfletojë dokumente siç janë shënimet stenografike nga takimi i Sllobodan Millosheviqit me kryetarët e komunave në Serbi nga 16 Mars 1991 në të cilin u përmend për herë të parë themelimi i përbërjes rezervë të policisë, si dhe raportet e grupit të ekspertëve të KB-së për ish-Jugosllavinë nga viti 1994 në të cilin jepen më shumë detaje për veprimin e njësive paramilitare.
Në tekstin “Historia e shkurtër e njësive paramilitare në luftërat post-jugosllave nga 1991-1995”, Dejan Anastasijeviq jep pjesët e raportit të përmendur ku thuhet se në territorin e ish-Jugosllavisë kanë vepruar 82 grupe paramilitare, prej të cilave 55 ishin serbe, 13 kroate dhe 14 boshnjake. Sipas të njëjtit raporti: “Organizatat paramilitare ekzistojnë në disa forma. Disa grupe janë shumë të organizuara dhe operojnë në disa zona në bashkëveprim me forcat e rregullta ushtarake. Të tjera janë të organizuara dobët dhe veprojnë në mënyrë të pavarur në një fshat, nga rasti në rast. Disa janë krijuar para shpërthimit të konflikteve, disa më pas, ndërsa disa janë formuar sipas nevojave aktuale. Në përbërjen e tyre hynin pjesëtarët e ushtrisë së rregullt, policisë, Mbrojtjes Territoriale, civilët lokalë, të kthyerit nga jashtë dhe të huajt. Sipas disa raporteve, në to ishin të përfshirë dhe kriminelët, të cilët janë liruar nga vuajtja e dënimit në mënyrë që të jenë të përfshirë në këto grupe”.
Përveç kësaj, pjesëmarrësit kishin mundësi të shikojnë pjesën e parë të serialit dokumentar të Filip Shvarm-it “Njësia” i cili u krijua në bashkëprodhim të revistës javore VREME dhe RTV B92 në mënyrë që të mësojnë për fazën e themelimit të paraushtrive, gjë që shihet qartë në gjenezën e krijimit të JSO-së. Gjithashtu, pjesëmarrësit kanë parë filmin “Çakejt” i cili flet për një pjesë të pjesëtarëve të një njësie, të cilët janë akuzuar për krimet e luftës në Kosovë (Qushk, Lubeniq, Pavlan dhe Zahaq).
Ditën e dytë, leksionin e parë e mbajti Milica Stojanoviq, gazetarja e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), në lidhje me gjykimin e ish-shefave të Shërbimit të Sigurisë së Shtetit të Serbisë Jovica Stanishiq dhe Frenki Simatoviq para MSKJ, i cili është në procedurë të përsëritur aktualisht.
Sipas kësaj aktakuze (2003, rishikuar në 2008) Stanishiq dhe Simatoviq ngarkohen me sipërmarrje të përbashkët kriminale të cilën kishin si qëllim, bashkë me pjesëtarët e tjerë të Republikës së Krajinës Serbe, Republikës Serbe dhe Serbisë, largimin me forcë dhe në mënyrë të përhershme të shumicës së joserbëve, kryesisht të Kroatëve, Myslimanëve boshnjak dhe Kroatëve boshnjak, nga zonat e mëdha të Kroacisë dhe BH-së nëpërmjet kryerjes së veprave penale të dëbimit, vrasjes, deportimit dhe akteve johumane (zhvendosjet me forcë).
Milica Stojanoviq e sqaroi rolin e kësaj dysheje sipas aktakuzës si dhe sipas rrjedhës së gjykimit në procedurën e parë, si dhe në atë të përsëritur. Kjo i referohet fillimisht :
· Kanaleve të lidhjeve midis pjesëmarrësve kyç në SPK në Beograd, në zonat konkrete dhe në nivelin lokal, dhe midis tyre;
· Formimit të njësive speciale të Sigurimit të Shteti të Serbisë dhe forcave serbe të cilat kanë marrë pjesë në krimet në Kroaci dhe BH;
· Financimit, trajnimit, mbështetjes logjistike për njësitë speciale të Sigurimit të Shtetit të Serbisë dhe forcat e tjera serbe; dërgimit të vazhdueshëm të forcave, pa i udhëzuar që të përmbahen nga veprat e paligjshme, dhe plotësimit të forcave të cilat kanë kryer krime;
Më pas, leksionin e mbajti Marko Millosavljeviq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut për veprimin dhe krimet e Gardës Vullnetare Serbe.
Ai paraqiti zhvillimin dhe veprimin e njësisë, përmes lidhjeve me Shërbimin e Sigurisë së Shtetit, si dhe periudhat e luftës në Kroaci dhe BH duke bërë një prezantim për padënueshmërinë në proceset gjyqësore ndaj anëtarëve të GSV të cilët kanë marrë pjesë në krimet nga Dalji, Bjeljina, Zvorniku deri te Sanski Most.
Leksionin e fundit e mbajti Jovana Kollariq, hulumtuese e Fondit për të Drejtën Humanitare, e cila prezantoi veprimin e Partisë Radikale Serbe nëpërmjet veprimit të saj paramilitar dhe politik nga viti 1990 (nga krijimi i Lëvizjes Çetnike Serbe). Ajo prezantoi fazat e rekrutimit, veprimet nëpër shtabet e luftës/krizës, rastet e luftimeve dhe krimeve në të cilat kanë marrë pjesë anëtarët e PRS-së në Kroaci dhe Vojvodinë, si dhe rolin e tyre në marrjen e komunave në BH, gjë që ishte pjesë e qëllimeve strategjike të Republikës Serbe.