Konferenca Online “Re-boot Europe!” gjatë pesë ditëve të fundit mblodhi më shumë se 100 evropianë të rinj nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, Kroacia, Gjermania dhe Franca, të cilët kanë pasur mundësi të diskutojnë dhe shprehin mendimet dhe propozimet e tyre në lidhje me të ardhmen e Evropës, si dhe ballafaqimin me të kaluarën, pajtimin, solidaritetin dhe ndryshimet klimatike.

Konferenca “Re-boot Europe!” u mbajt njëkohësisht me samitin e Këshillit Evropian, në të cilin sot u arrit marrëveshja historike e cila shënon fazën e re të Bashkimit Evropian dhe deri në njëfarë mase u përgjigjet pyetjeve dhe propozimeve të diskutuara nga evropianët e rinj gjatë ditëve të kaluara.

Gjatë diskutimit përfundimtar dhe ceremoninë e mbylljes së konferencës u prezantua edhe Deklarata e përbashkët e pjesëmarrësve të rinj me rastin e marrjes së presidencës së Këshillit të BE nga ana e Gjermanisë, me një fokus të veçantë tek ballafaqimi me të kaluarën por edhe bashkëpunimi i vendeve në periudhën pas tejkalimit të krizës në të cilën gjendet Evropa, por edhe e gjithë bota si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Pjesëmarrësit e Deklaratës porositën se vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të mbështesin më fort idetë, përpjekjet dhe iniciativat për një bashkëpunim më aktiv në mes të qytetarëve dhe shteteve, si dhe faktin që vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar Evropa, siç janë – paqja, demokracia, liria, të drejtat e njeriut dhe sundimi i së drejtës – nuk duhet të harrohen. Duke respektuar vlerat themelore evropiane, të rinjtë shprehen në Deklaratë se Bashkimi Evropian duhet t’i kundërshtojë në mënyrë më aktive tendencat autokratike dhe nacionaliste të shoqërive dhe qeverive brenda, por edhe jashtë Bashkimit Evropian.

Pjesëmarrësit e Deklaratës u fokusuan tek ballafaqimi me të kaluarën dhe pajtimi duke theksuar se qytetarët, por edhe politikanët, duhet të kundërshtojnë më fortë relativizimin dhe mohimin e krimeve të vërtetuara të kryera në tokën evropiane në fund të shekullit 20, kryesisht në mënyrë që të mos përsëritet më asnjë krim, me qëllim që viktimat e krimeve të kryera gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar të njihen dhe respektohen.

Foto: Twitter/ Anne-Marie Descôtes

Me anë të kësaj Deklarate , Evropianët e rinj nga Ballkani Perëndimor, Kroacia, Gjermania dhe Franca sjellin në vëmendje edhe problemin e migrantëve dhe refugjatëve, duke porositur se qasja e BE-së në këtë temë duhet të rishikohet për të miratuar një politikë unike të migracionit e cila do të jetë e dukshme në praktikë dhe e cila do të bazohet mbi solidaritetin e mirëfilltë, në vend të ksenofobisë. Gjithashtu, Deklarata kujton se çështjet e largimit të trurit dhe krijimit të një hapësire më të madhe për pjesëmarrjen e të rinjve në jetën politike, ekonomike, kulturore dhe çdo segmenti tjetër të jetës, kërkon më shumë vëmendje, sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në ceremoninë e mbylljes së konferencës “Re-boot Europe!” pjesëmarrësve dhe të rinjve nga e gjithë Evropa, të cilët e kanë ndjekur ngjarjen nëpërmjet internetit, u drejtuan edhe Ambasadorja franceze në Gjermani Anne-Marie Descôtes, Ministri i Çështjeve Evropiane në Qeverinë gjermane Michael Roth, si dhe ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati.

Echanges virtuels et stimulants avec des jeunes européens et @MiRo_SPD et @dirmirbushati, Re-boot #Europe, initiative de @OFAJ et @RYCOwb pour la relance de l’Europe. pic.twitter.com/lBWAeanJ7w

— Anne-Marie Descôtes (@amdescotes) July 21, 2020

Michael Roth, Ministri i Evropës në Qeverinë gjermanë, në ditën e marrjes së vendimit të buxhetit shtatëvjeçar dhe paketës unike të ndihmës tha në konferencën “Re-boot Europe!” se përpjekjet e të rinjve për bashkëpunim dhe solidaritet, si dhe rekomandimet e pjesëmarrësve të konferencës, janë një mundësi e shkëlqyer për ofrimin e më shumë hapësire për zërin e Ballkanit Perëndimor.

“Përgjegjësia nuk duhet treguar vetëm nëpër shkolla dhe komunitete tuaja, por edhe në jetën politike. Pa ju (të rinj), çdo gjë ka më pak kuptim”, u porositi Roth pjesëmarrësve.

Konferenca “Re-boot Europe!” u organizua nga 16 deri 21 Korrik, nga OFAJ/DFJW (Zyra Franko-Gjermane për Rininë), Zyra Rajonale për Bashkëpunimin e të Rinjve nga Ballkani Perëndimor, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe organizatat partnere nga Franca dhe Gjermania me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Ndër pjesëmarrësve të konferencës ishin të rinjtë nga Shqipëria, Bosnja Hercegovina, Kroacia, Franca, Gjermania, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Attachments