Duke folur për fushatën “Mos iu përsërittë askujt” të nisur nga Nisma bashkë me Shoqatën e Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës dhe Forumin ZFD, Gjuriq shprehet se qëllimi i fushatës është që të thyhet narrativi nacionalist nëpërmjet shprehjes artistike, mesazheve të solidaritetit dhe dhembshurisë së pastër.
“Kemi gjithë vitin për dënimet politike dhe tentativat e ndryshimit politik dhe do të vazhdojmë të punojmë gjatë gjithë vitit, si dhe të gjithë aktivistët e tjerë të paqes në Serbi, por në këtë muaj korrik, sidomos kështu siç është këtë vit, pa mundësinë që të shkojmë në Potoçari për t’u përkulur para viktimave, pa mundësinë që ta bëjmë në mënyrë të duhur edhe në Beograd, fushata jonë synon të përcjellë këtë mesazh tashmë në një mënyrë tjetër”, thotë Gjuriq.
Ivan Gjuriq shton se këtë vit me rastin e shënimit të përvjetorit, asnjë nga zyrtarët e Serbisë nuk e ka përmendur Srebrenicën, përveç një “rasti kur e përmendi Presidenti Vuçiq në një konferencë shtypi përpara udhëtimit të tij në Paris”.
“Nga njëra anë, kjo përbën një turp të madh për shtetin tonë, që zyrtarët e Serbisë, e cila u shpall përgjegjëse për mosparandalimin e gjenocidit, nuk shprehen në atë ditë, por nga ana tjetër është mirë që nuk kemi një fushatë aktive të mohimit, është mirë që nuk ka vazhduar ajo fushatë aktive e viktimizimit të Serbisë në kontekstin e Srebrenicës, gjë që kemi dëshmuar që nga viti 2015 kur u sulmua Presidenti Vuçiq në Potoçari dhe kur u bë Rezoluta Britanike, kur Serbia prezantohej si viktimë e konspiracionit ndërkombëtar dhe Boshnjakëve”, theksoi Gjuriq dhe shtoi se ai, si optimist, shpreson se do të ketë ndryshim, “por problemi është më i madh se si reagojnë zyrtarët tanë, sepse zyrtarët mund të ndryshojnë mendimin brenda një dite, pa problem, në raport me me interesat politike”
Duke folur për raportin e të rinjve ndaj ballafaqimit me të kaluarën dhe edukimin mbi ngjarjet e viteve nëntëdhjetë, Gjuriq kujton se qëllimi i Nismës është që t’u ofrojë të rinjve një dalje nga propaganda e gjithpranishme nacionaliste e cila vjen nga mediat, hapësira mediatike dhe sistemi arsimor, dhe t’u ofrojë diçka më pranë të së vërtetës dhe fakteve “dhe t’i përafrojmë të rinjtë me fqinjët e tyre Boshnjakë, Kroatë apo Shqiptarë të Kosovës”.
“Këto janë mesazhe shumë të rëndësishme nga BE dhe mua më është gdhendur në mendje një deklaratë e Komisarit Varhelji se Srebrenica mbetet një plagë e hapur me popujt e Bosnja Hercegovinës, por edhe me BE, dhe vetëm kur ta bazojmë marrëdhënien mbi mirëbesimin, atëherë do të mund të flasim për pajtimin dhe sherimin e plagëve, ndërsa gjëja kyçe për mirëbesim është që të mos gënjejmë hapurazi, siç gënjen Beogradi zyrtar sot duke pretenduar se nuk ka pasur gjenocid dhe se nuk duhet biseduar për këtë, se Beogradi nuk ka asnjë lidhje me këtë dhe se Ratko Mlladiq është hero, të raportojmë për shëndetin e tij në spital, dhe të mos flasim kurrë për gjerat për të cilat ai mban përgjegjësi, kjo duhet të ndryshojë nëse presim që të na besojë dikush në Bosnja Hercegovinë apo kudo jashtë kufijve të Serbisë”, konkludon Gjuriq.
Këtë vit, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut bashkë me Shoqatën e Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës dhe Forumin ZED, në kuadër të shënimit të përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, filluan fushatën “Mos iu përsërittë askujt”. Fushata përfshin dhe një video të shkurtër me titullin “Mos iu përsërittë askujt” si dhe këngën Mos iu përsërittë askujt, një apel anti-luftë të Kemal Montenos në intepretim të Horkestar-it.
Foto: N1/ Printscreen