Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kroacia dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Serbia u bëjnë thirrje përfaqësuesve politikë të Serbisë dhe Kroacisë që të mos përdorin vuajtjen e viktimave për mesazhet luftënxitëse por të bashkëpunojnë në lidhje me çështjen e realizimit të të drejtave dhe drejtësisë për viktimat e krimeve të kryera gjatë dhe pas Operacionit Ushtarak Stuhia.
Njëzetekatër vjet nga operacioni Stuhia kur pjesëtarët e njësive të ushtrisë kroate, në fillim të muajit Gusht, kanë marrë pjesë në vrasjet dhe keqtrajtimet e civilëve, shkatërrimin dhe vjedhjen e pronës private dhe parandalimin e kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre dhe asnjë politikan i Republikës së Kroacisë nuk u ka kërkuar falje të sinqetë viktimave deri tani. Pavarësisht nga kjo, Presidentja Grabar Kitaroviq dhe Kryeministri i Kroacisë Plenkoviq, refuzojnë të marrin pjesë në ceremonitë përkujtimore të organizuara në kujtim të krimeve të kryera gjatë dhe pas këtij operacioni, duke zbatuar kështu politikën e refuzimit të ballafaqimit me të kaluarën.
Deklarata e Kolinda Grabar Kitaroviq në të cilën lavdëron dhe shpreh simpati ndaj Thompson-it i cili kishte mbajtur koncert në prag të përvjetorit të operacionit Stuhia, ndërsa në koncert edhe këtë herë bëheshin përshëndetjet fashiste poshtëron dhe fyen jo vetëm viktimat e krimeve por të gjithë qytetarët e Republikës së Kroacisë dhe vlerat mbi të cilat është themeluar Shteti.
Gjykatat kroate deri tani kanë marrë vetëm një vendim të formës së prerë për krimet e luftës në kontekstin e Stuhisë, ndërsa vlerësohet të jenë vrarë mbi 600 Serbë gjatë operacionit, dhe si pasojë e këtij operacioni, mbi 150 000 persona kanë ikur nga Kroacia.
Nga ana tjetër, asnjë viktimë e “Stuhisë” në Serbi sot nuk ka statusin e viktimës civile të luftës, edhe pse zyrtarët e Serbisë në pesë vitet e fundit flasin nëpër ceremonitë përkujtimore zyrtare për domosdoshmërinë e përkujtimit të viktimave të Stuhisë. Deklarata e djeshme e Presidentit të Serbisë, Vuçiq në të cilën ai kujtoi se “puna e tij është që të mos e harrojmë këtë datë dhe se ne i respektojmë viktimat e të tjerëve” nuk është në përputhje me politikat që zbatojnë, si dhe mesazhet që përcjellin përfaqësuesit e Serbisë e cila vazhdon të mbështesë kriminelët e dënuar të luftës. Gjithashtu, Fondi për të Drejtën Humanitare ka vite që ia kujton publikut të Serbisë përgjegjësinë e Republikës së Serbisë për të kërkuar falje dhe dëmshpërblyer shumë qytetarë, refugjatë të atëhershëm nga Kroacia, të cilët ishin arrestuar nga ana Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe dorëzuar pushteteve të Republikës së atëhershme të Krajinës Serbe (RSK) ose njësisë paramilitare “Garda Vullnetare Serbe” të udhëhequr nga Zheljko Razhnatoviq Arkan, në të cilën, si rregull, dërgoheshin në linjat e para të luftës. Mobilizimet e tilla me forcë, të cilat përbënin shkeljen më të rëndë të Konventës së OKB-së për statusin e refugjatëve, në shumicën e rasteve rezultuan me humbje jetësh ose lëndimet e rënda trupore dhe pasojat psikologjike për meshkujt e mobilizuar.
Edhe pse gjatë krimeve në operacionin Stuhi ne nuk ishim lindur akoma ose ishim në fëmijëri të hershme, jemi të vendosur që mos t’i harrojmë kurrë. Na vjen turp jo vetëm sepse këto krime janë kryer, por sepse politikanët nga Kroacia dhe Serbia i përdorin për grindjet e tyre
të ndërsjellta dhe manipulimet keqdashëse dhe sepse institucionet e shteteve tona nuk u janë përgjigjur këtyre krimeve në përputhje me parimet e drejtësisë, përkatësisht nuk kanë bërë mjaft për të kënaqur drejtësinë dhe dëmshpërblyer viktimat. Nuk duam t’u lëmë gjeneratave të ardhshme një shoqëri të ngarkuar me të kaluarën dhe ndarjet e trashëguara, por duam të veprojmë në mënyrë të përgjegjshme në qëllim të realizimit të bashkëpunimit dhe pajtimit të Serbisë dhe Kroacisë.
Për këtë arsye ftojmë Republikën e Kroacisë :
· Që Kryeministri dhe Presidentja t’u kërkojnë falje të sinqertë viktimave të krimeve të kryera nga forcat e RK gjatë dhe pas operacionit Stuhi. Ndihmën mund t’u japë Udhëzuesi për politikanët “Si të kërkosh falje për krimet” i hartuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kroaci.
· Që Prokuroria e Shtetit dhe gjykatat të investojnë më shumë përpjekje në procedimin e krimeve të luftës gjatë dhe pas operacionit Stuhi.
· Që t’u përkushtohet më shumë rëndësi ngjarjeve të cilat përbëjnë shkeljet e të drejtave të njeriut në lidhje me operacionin Stuhi, në programet shkollore arsimore të historisë.
· Që të përshpejtohet dhe lehtësohet procesi i kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre, gjë që përfshin realizimin e plotë të të drejtave të pronës, strehimin, rinovimin e pronës së shkatërruar dhe zgjidhjen e çështjes së statusit të të kthyerve.
Gjithashtu, ftojmë Republikën e Serbisë që:
· Të rregullojë plotësisht statusin e viktimave civile të luftës sipas modelit të propozuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në mënyrë që të dëmshpërblehen edhe viktimat e Stuhisë, siç janë dëmshpërblyer viktimat e tjera të konflikteve të luftës në ish-Jugosllavi.
· Presidenti i Republikës të kërkojë falje, ndërsa Qeveria e Serbisë të mundësojë dëmshpërblimin e qytetarëve të shpërngulur nga Kroacia në vitin 1995 që ishin mobilizuar me forcë nga ana e policisë dhe formacioneve paramilitare.
· Përfaqësuesit e saj të pushojnë së promovuari politikën nacionaliste në ceremonitë zyrtare të përkujtimit, duke përdorur plagët e të vrarëve dhe të shpërngulurve nga Stuhia.
Të dyja shteteve u këshillojmë përkujtimin e përbashkët të vuajtjeve të Stuhisë, respektimin e vendimeve gjyqësore dhe të fakteve të vërtetuara para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe bashkëpunimin në zgjidhjen e çështje së të zhdukurve.
Njohja dhe procedimi i krimeve të Stuhisë nga ana e Republikës së Kroacisë, si dhe respektimi i plot ligjor i të vrarëve dhe të shpërngulurve nga ana e Republikës e Serbisë është në interes të të dyja shoqërive që kanë perspektivë vetëm në paqe.