“Pavarësisht sfidave dhe marrëdhënieve aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’ vazhdon të mbetet një ndër platformat e pakta që ofron hapësirë për promovim dhe shkëmbim kulturor dhe dialog për çështje e tema që ndryshe nuk diskutohen. Ne e kuptojmë se ka çështje politike e historike të rrënjosura thellë që po vazhdojnë të krijojnë ndarje midis shoqërive tona, por ne besojmë fuqishëm se shkëmbimi dhe bashkëpunimi kulturor mund të jetë një mjet i fuqishëm për promovimin e pajtimit dhe ndërtimin e një të ardhme paqësore. Përmes festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ne po synojmë të krijojmë një traditë të qëndrueshme të bashkëpunimit ndërmjet shoqërisë kosovare dhe asaj serbe, dhe ftojmë të gjithë të bashkohen me ne në këtë përpjekje të vazhdueshme” tha Kushtrim Koliqi nga organizata Integra në Kosovë.
Edicioni i sivjetmë i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, do të hapet me shfaqjen e filmit “Si mësova të fluturoj” nga Radivoje Andrić, film ky fitues i shumë çmimeve i cili na sjell një histori njerëzore për rritjen, kuptimin dhe faljen. Publiku i Prishtinës po ashtu do të ketë mundësinë të dëgjoj grupin e vajzave rome “Pretty Loud”, të cilat përmes këngëve të tyre në gjuhën rome, serbe dhe angleze, këndojnë për stereotipet, drejtësinë sociale dhe racën, por edhe për sfidat, shpresat e ëndërrat e tyre. Poetët Mirjana Narandžić dhe Đorđe Simić do të kenë mundësinë të flasin për veprat dhe përmbledhjet e tyre poetike si dhe të lexojnë poezitë e tyre në formën e një mbrëmjeje poetike.
“Kemi pasur një vit të vështirë nëse flasim për bashkëpunimin dhe dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, prandaj edicioni i sivjetmë i festivalit mund të konsiderohet si një nga mundësitë e pakta pozitive për shkëmbim e diskutim. Ne po vazhdojmë t’u ofrojmë hapësirë artistëve, aktivistëve e të rinjve përmes diskutimeve, artit e kulturës. Çdo marrëdhënie që ndërtojmë në këtë mënyrë është tejet e rëndësishme për të ardhmen që të gjithë ëndërrojmë, e cila, për fat të keq, duket edhe më larg. Megjithatë, i gjithë kompleksiteti i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është vetëm një arsye më shumë për të gjithë ata që kanë hapësirë në zemrat dhe mendjet e tyre për të mësuar më shumë për përvojat dhe historitë e “tjetrit”, që të vazhdojnë të punojnë në krijimin e marrëdhënieve të reja dhe përmirësimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet”, tha Sofija Todoroviq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi.
Ashtu si edicionet e kaluara, edhe gjatë edicionit të sivjetshëm do të diskutojmë tema të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë përmes promovimit të librit “Sërbia tjetër: Srđa Popović” nga Shkëlzen Gashi dhe debatit “Trashëgimia tjetër”, debatit “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”, dhe përmes promovimit të librit “Momenti kur kuptova që lufta filloi” që do pasohet nga një bashkëbisedim me autorët e librit.
Dita e fundit e festivalit do të mbyllet me shfaqjen teatrore “Bimët po të ngordhnin, do bëhej nami!” nga Ivor Martinić, dhe një ndejë përmbyllëse me DJ Flip nga Beogradi.
Qëllimi i festivalit “Mirëdita dobar dan!” është prezantimi i skenës artistike dhe kulturore serbe në Prishtinë, si dhe i skenës kulturore të Kosovës në Serbi, përmes takimeve të artistëve, shkëmbimit të ideve, diskutimit për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy shoqërive, por edhe krijimit të një tradite të bashkëpunimit mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.
Frymëzim për “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav por edhe i tërë botës, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme.
Hyrja në të gjitha ngjarjet e programit është falas.
Detaje për të gjitha ngjarjet e këtij edicioni të festivalit mund të gjenden në faqen tonë të internetit
“Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Fondit për Ballkanin Perëndimor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Rockefeller Brothers Fund.