Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare (HLC), në trazirat e marsit në Kosovë humbën jetën 23 persona: një maqedonase Jana Tucev, nëntë serbë – Dragan Nedeljkoviq, Slobodan Periq, Dusanka Petkoviq, Borivoje Spasojeviq, Borko Stoliq, Dobrivoje Stoliq, Slobodan Tanjiq, Zlatibor Trajkoviq dhe Nenad Vesiq, dhe trembëdhjetë shqiptarë – Fatmir Abdullahu, Ferid Çitaku, Bujar Elshani, Kastriot Elshani, Isak Ibrahimi, Alumuhamet Murseli, Agron Ramadani, Nexhat Rrahmani, Arben Shala, Gazmend Shala, Ajvaz Shatrolli, Esat Tahiraj dhe një shqiptar nga Prishtina emrin e të cilit HLC nuk ka mundur ta identifikojë.
Në atë kohë, rreth 170 serbë u plagosën, 150 prej tyre u rrahën në shtëpitë e tyre, ndërsa 20 prej tyre u plagosën në sulmet në rrugë. Sa i përket objekteve, rreth 800 shtëpi serbe, 90 ashkali dhe dy shqiptarë janë shkatërruar plotësisht ose janë dëmtuar rëndë. Përveç pronave civile, 36 kisha ortodokse u shkatërruan dhe u dogjën plotësisht. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në trazirat e marsit u plagosën 954 persona, duke përfshirë 65 policë ndërkombëtarë, 58 anëtarë të SHPK-së dhe 61 anëtarë të forcës paqeruajtëse ndërkombëtare.
Në raportin e OSBE-së për vlerësimin e të drejtave të komuniteteve në qershor 2021 thuhet se që nga dhjetori 2019, në Kosovë janë kthyer 28,302 persona të zhvendosur që nga viti 2000, dhe se shkalla e kthimit është ulur çdo vit dhe se ky trend vazhdon të bie. UNHCR gjithashtu vlerëson se ka 16,151 persona të zhvendosur në Kosovë, nga të cilët 412 jetojnë në një nga strehimoret e përkohshme kolektive.
Për më shumë se dy dekada, përkujtimet dhe viktimat janë keqpërdorur për përhapjen e propagandës së shteteve dhe përfitimeve politike kombëtare. Kjo sjellje aktuale e qeverive po nxit tensionet etnike, duke krijuar barriera edhe më të forta për procesin e pajtimit.
Përderisa në Kosovë po forcohet izolimi i komunitetit serb përmes aksioneve si videoja “Besa Besë” që transmetohet në portalet Ekonomia Online dhe Telegrafi, në Serbi retorika nacionaliste dhe diskriminuese vazhdojnë të përdoren nga përfaqësues më të lartë të shteteve duke nxitur kështu dhunën e mëtejshme ndaj shqiptarëve – siç pamë në dhjetor 2021 në Bor, ku një familje u kërcënua me grafitin “Vritni Shiptarët”.
Prandaj, ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të dënojë pa mëdyshje sulmet me motive etnike të drejtuara ndaj serbëve në Kosovë, duke u siguruar të zhvendosurve brenda vendit dhe refugjatëve kthim të sigurt në shtëpitë e tyre. Ne i bëjmë thirrje qeverisë serbe që të ndalojë nxitjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve, veçanërisht në datat si 17 marsi dhe të kërkojë falje publike për mosparandalimin e dhunës që synon shkatërrimin e pronave të shqiptarëve, boshnjakëve dhe turqve në Serbi dhe vënien e zjarrit në xhamitë në Beograd dhe Nish.