Më 16 korrik 2019, YIHR KS i është drejtuar AKI-së me kërkesë për qasje në informata publike të këtij institucioni, duke kërkuar këto informata: Sa raste i ka përgjuar AKI-ja gjatë vitit 2018 dhe sa persona janë përgjuar gjatë vitit 2018?
Kërkesa e bazuar në Ligjin nr. 03/L-215 për Qasje në Dokumente Publike dhe në vendimin me numër 48135/06 Youth Initiative for Human Rights v Serbia të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është refuzuar nga AKI nën arsyetimin se vënia në dispozicion e këtyre informatave kompromenton metodat dhe organizimin e punës të AKI-së, të cilat për këtë institucion trajtohen si Informatë e Klasifikuar.
Më datë 29 korrik 2019, YIHR KS i është drejtuar përsëri AKI-së për rishqyrtim të kërkesës për qasje në informata, e cila përsëri është refuzuar nga ky institucion me të njejtin arsyetim.
Pas refuzimit të kërkesës së dytë, me 27 gusht të vitit 2019, YIHR KS i është drejtuar me ankesë Institucionit të Avokatit të Popullit si një mekanizëm për mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Ky institucion duke marrë parasysh të gjithë rrethanat, bazën ligjore si dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me datë 27 shtator 2019, i drejtohet me shkresë drejtorit të AKI-së duke kërkuar informata për veprimet që AKI i ka ndërmarrë në lidhje me kërkesën e YIHR KS. Përgjigja nga AKI është kthyer me datë 11 tetor 2019 përmes së cilës Avokati i Popullit njoftohet për veprimet që ky institucion ka ndërmarrë përkitazi me kërkesën.
Konkludimet ligjore nga rekomandimi i Avokatit të Popullit, ndër të tjerash sqarojnë se qasja në dokumente publike është e drejtë e garantuar me Kushtetutë të Republikës së Kosovës.
Transparenca dhe llogaridhënia në institucione publike, duke përfshirë edhe AKI-në, duhet të jenë parimet kryesore mbi bazën e të cilave u shërbehet të gjithë qytetarëve të Kosovës. E drejta për qasje në informata dhe dokumente publike është e drejtë e garantuar dhe si e tillë duhet të respektohet nga të gjitha institucionet publike.
YIHR KS do të vazhdoj të mbrojë, kërkojë dhe promovojë të drejtat e njeriut duke kërkuar llogaridhënie dhe transparancë për rastet dhe personat e përgjuar nga AKI përmes mekanizmave ligjor, me qëllim që qytetarët e Kosovës të jenë të informuar dhe të kenë qasje në informatat publike të rëndësishme për sigurinë e tyre.