Si çdo vit, çmimi “Miredita, dobar dan!” ndahet për personat të cilët me punën dhe përpjekjet e tyre kontribuojnë në marrëdhëniet më të mira ndërmjet shoqërisë kosovare dhe serbe.
Puna e Blakaj drejt arritjes së paqes së vërtetë mes dy shoqërive, ka rezultuar në kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e të drejtave të njeriut, drejtësisë tranzicionale dhe ballafaqimit me të kaluarën.
“Këtë çmim nuk e konsideroj si një arritje personale, por si një arritje të përbashkët dhe do të doja të veçoja një person, e ajo është themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Nataša Kandić, si dhe të gjithë punonjësit e mëparshëm dhe aktual të degës në Kosovë, si dhe në Serbi.
“Gjithashtu, do të doja të shfrytëzoj rastin për të përmendur shoqatën e personave të zhdukur, me të cilët kam punuar në mënyrë aktive për më shumë se njëzet vjet dhe të cilët më mësuan se nga dhimbja mund të vijë forca e madhe për të bërë mirë”, tha Blakaj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Prishtinë mbrëmë.
Gjatë tri ditëve të programit, publiku i Prishtinës pati mundësinë të ndjekë debate për tema aktuale që kishin të bëjnë me sfidat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe pjesën artistike të programit. Filmi “Si mësova të fluturoj” me regji të Radivoj Andrić, u shfaq në Kino ABC para një numri të madh të të pranishmëve, ndërsa grupi Pretty Loud dërgoi një mesazh të qartë kundër dhunës, diskriminimit dhe stereotipeve të të gjitha llojeve me performancën e tyre energjike. Poeti i ri Đorđe Simi, prezantoi poezinë e tij para të pranishmëve në formën e një mbrëmjeje poetike, ndërsa Mila Mihajlović lexoi poezi nga përmbledhjet e poetes Mirjana Narandžić.
Festivali “Mirëdita, dobar dan!” organizohet nga organizata Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Fondit për Ballkanin Perëndimor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Fondacionit Rockefeller.