Me performanca në rrugë dhe shëtitje rrugëve të qytetit, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Gratë në të zeza shënuan në Beograd 20 vjetorin e krimieve të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë vitit 1999 në Kosovë, trupat e të cilëve ishin fshehur në lagjen Batajnica të Beogradit.
Aktivistët treguan një performancë “Batajnica 744: E vërteta e varrosur” dhe me atë rast mbuluan me dhe mbishkrimin me emrat e 744 viktimave, më pas u nisën për shëtitje rrugëve qendrore të qytetit deri tek sheshi përpara Ansamblesë së Serbisë.
Marko Milosavljeviq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut deklaroi se në Serbi në 20 vjet të fundit ekziston një narrativ i cili hesht për varrezat masive në Batajnica, Petrovo Selo, liqenin Peruqac dhe Rudnica, si dhe që njihen vetëm viktimat serbe.
“Këtu keni mbi 10 vendndodhje nga të cilat janë transportuar viktimat, ndërsa numri prej 744 mbetjeve mortore të gërmuara vetëm dhjetë kilometra nga këtu, flet për këtë të keqe për të cilën nuk duhet të pushojmë të debatojmë. Për këtë do të insistojmë dhe do të përpiqemi të edukojmë njerëzit e rinj në mënyrë që të njihen me të gjithë kontekstin e luftës në Kosovë dhe shpërbërjen e ish-Jugosllavisë“, deklaroi Milosavljeviq.
Le të kujtojmë, përveç bombardimit të NATO-s, popullsia civile në Kosovë ka qenë e ekspozuar edhe ndaj fushatës së krimit nga ana e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Formacionet e armatosura (MPB e Serbisë, Ushtria e Jugosllavisë dhe njësitë paramilitare) kanë kryer një sërë krimesh të mëdha në Kosovë, të cilat arritën në kulm gjatë ndërhyrjes së NATO-s. Krim gjithashtu quhet edhe zhvendosja e trupave të Shqiptarëve të vrarë të Kosovës nëpër varrezat masive në Serbi. Përpara se të transportoheshin në Batajnicë, trupat e Shqiptarëve të vrarë ishin varrosur në varrezat masive parësore në Kosovë. Nga viti 2001 e deri më sot, në territorin e Republikës së Serbisë janë gjetur varrezat masive në 4 vendndodhje me 941 trupa Shqiptarësh të vrarë në Kosovë në 1999, kryesisht civilë të vrarë jashtë konfliktit të armatosur. Në varrezat masive të Batajnicës janë zbuluar trupat e viktimave shqiptarë të vrarë në Kosovë nga 24 Mars deri më 22 Maj 1999.
Më shumë fotografi mund të gjeni tek faqja jonë e Facebook-ut.