Dhjetë të rinj nga pjesët e ndryshme të Serbisë në ditën e parë të punëtorisë u njohën me faktet nga dosjet e Fondit për të Drejtën Humanitarë (FHP) “Operacioni i fshehjes së trupave” përmes leksionit të Ivana Zhaniq, drejtoresha ekzekutive të FHP-së. Në zonën e Serbisë deri tani janë zbuluar katër varreza masive me 941 trupa gjithsej : Batajnica me 744 trupa, Peruqac me 84, Petrovo Selo me 61 dhe Rudnica me 52. Tre varrezat e para janë zbuluar në vitin 2001 ndërsa e fundit, Rudnica në vitin 2013. Fondi për të Drejtën Humanitare në dosjen e lartpërmendur nxjerr dhe të dhënat e djegies së kufomave të Shqiptarëve të Kosovës, duke përmendur tre vendndodhje: Maçkatica, kompleks për përpunimin e aluminit pranë Surdulicës, kombinati Feronikl në Glogovac dhe Baseni i Minierave të Borit.
Në po atë dosje thuhet se në ngjarjet e Maçkaticës në Maj të vitit 1999 morën pjesë edhe njësitë e komanduara nga Milorad Ulemek Legija. Edhe pse fabrika u vizitua në vitin 2005 nga prokurori i atëhershëm për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviq, nuk është ngritur asnjë aktakuzë. Pas leksionit të Ivana Zhaniq, pjesëmarrësit patën mundësi, me ndihmën e Fiona Jeliqit dhe Marko Milosavljeviqit nga YIHR Serbia, të plotësojnë hartat memece në bazë të informacioneve nga vendimet gjyqësore dhe dokumentet përkatëse duke krijuar hartat e rrugëve të fshehjes së viktimave: Nga krimet e luftës në Kosovë, deri tek varrezat masive dytësore në Serbi (Batajnica, Peruqac, Petrovo Selo dhe Rudnica). Pas punës në grup dhe pas vizatimit të hartave, pjesëmarrësit patën mundësi për të lexuar tregimet e familjeve të viktimave, trupat e të cilëve përfunduar në varrezat masive në poligonin e qitjes së Njësisë Speciale Antiterroriste të MPB-së së Serbisë.
Pjesa përfundimtare të ditës së parë të punëtorisë ishte rezervuar për trajnim në lidhje me kërkimin e informacioneve dhe të dhënave të arkivës së faqes së internetit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ/ICTY), dhe moderohej nga Jovana Kolariq, hulumtuese e FHP-aë. Në këtë mënyrë pjesëmarrësit patën mundësi për të mësuar se si mund të gjejnë dokumentet nga lëndët e caktuar të GJPNJ/ICTY, kështu që një nga segmentet më interesante të këtij sesioni ishte kërkimi i kartolinës së urimit për Vitin e Ri 1995 dhe Krishtlindje të Milan Martiqit, si dhe të inçizimeve të pranimit të fajit nga të akuzuarit.
Dokumentet siç është kartolina e urimit të Vitit të Ri 1995, tregojnë lidhjet dhe “synimet” e pjesëmarrësve të sipërmarrjes së përbashkët kriminale të listuar në aktakuzën kundër ish-shefave të Sigurimit të Shtetit, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq. Autori i kartolinës është i atëhershmi President i Republikës së Krajinës Serbe, ndërsa marrësit, përveç të akuzuarit Jovica Stanishiq, janë edhe Sllobodan Millosheviq, Radovan Karaxhiq, Momçillo Krajishnik si dhe presidentët e atëhershëm të RF Jugosllavisë dhe Malit të Zi, Zoran Liliq dhe Momir Bulatoviq.
Ditën e dytë pjesëmarrësit patën mundësi për të shkuar deri te hyrja e Qendrës së Trajnimit të Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ) të MPB-së së Serbisë ku janë gjetur 744 trupa të personave të vrarë dhe të varrosur në mënyrë të fshehtë në poligonin e qitjes së SAJ-it. Mirko Medenica, bashkëpunëtor i Qendrës së Historisë së Aplikuar, një organizatë e cila organizon shpeshherë orët publike për varrezën masive sekrete në Batajnicë, mbajti një leksion publik pranë hyrjes së SAJ-it, ku foli për krimet në Kosovë si dhe kulturën e kujtimit të operacionit të fshehjes së kufomave në Beograd. Pasi arritën në Batajnicë, pjesëmarrësit panë një film dokumentar “Dubina 2”(Thellësi 2) pas të cilit patën mundësi për të biseduar me Ognjen Glavoniq, autorin e filmit.