Gjatë shënimit të përvjetorit të Betejës së Kosovës më 28 qershor 2026, Policia e Kosovës ndaloi të paktën 36 serbë, shtetas të Serbisë, Kosovës dhe Malit të Zi, përfshirë edhe një të mitur, nën dyshimin për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Sipas dëshmive të disa prej të ndaluarve, si dhe raporteve të disa organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, të ndaluarit iu nënshtruan dhunës policore, shkeljeve të lirisë së tyre të shprehjes, si dhe mohimit të së drejtës për mbrojtje ligjore dhe për një mjet juridik efektiv. Ne mirëpresim vendimin e Institucionit të Avokatit të Popullit në Kosovë për të nisur një hetim lidhur me pretendimet për përdorim të tepruar të forcës të policisë ndaj personave të ndaluar.
Në të njëjtën kohë, jashtë një furre buke në Krushevac, me pronar shqiptar, u shfaq një poster që u bënte thirrje qytetarëve të bojkotonin bizneset në pronësi të shqiptarëve. Posteri i referohej në mënyrë të drejtpërdrejtë ngjarjeve në Gazimestan më 28 qershor 2026 si justifikim duke përdorur gjuhë fyese ndaj shqiptarëve. Ne i dënojmë fuqishëm këto mesazhe shoviniste të drejtuara ndaj pronarit të furrës së bukës dhe u bëjmë thirrje autoriteteve kompetente të Republikës së Serbisë që të reagojnë pa vonesë dhe ta informojnë publikun për masat e ndërmarra. Mirëpresim faktin që Administrata e Qytetit të Krushevacit, ashtu edhe Mbrojtësi i Qytetarëve e dënuan gjuhën e urrejtjes. Megjithatë, në deklaratë, Administrata e Qytetit të Krushevacit nuk e identifikoi qartë incidentin dhe nuk e përmendi komunitetin që ishte objekt i sulmit, duke lënë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe duke zbehur rëndësinë e një dënimi institucional të qartë dhe të prerë ndaj diskriminimit të motivuar nga etnia. Në rastet e gjuhës së urrejtjes të drejtuar kundër komuniteteve jo shumicë, institucionet publike kanë detyrimin të identifikojnë qartë, si natyrën e incidentit, ashtu edhe komunitetin e prekur.
Këto dy raste nuk janë incidente të izoluara, por pasqyrojnë vazhdimësinë e praktikave diskriminuese, gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve ndaj komuniteteve jo shumicë si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nuk mund të jetë i qëndrueshëm nëse shkeljet e të drejtave të serbëve në Kosovë dhe të shqiptarëve në Serbi tolerohen ose minimizohen. Të dyja qeveritë kanë përgjegjësinë të mbrojnë në mënyrë të vazhdueshme të drejtat e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, të sigurojnë mbrojtje efektive kundër diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe të dëshmojnë pa asnjë mëdyshje se incidentet e motivuara nga etnia nuk do të tolerohen.






