Grupi prej 13 të rinjsh nga pjesët e ndryshme të Serbisë (Rekovac, Surdulica, Nish, Novi Sad, Shabac, Beograd, Çaçak) patën mundësi gjatë dy ditëve që të mësojnë dhe diskutojnë për shkaqet dhe pasojat, si dhe politikat e ndryshme të kujtimit/harresës së ndërhyrjes së NATO-s ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë.
Ditën e parë të punëtorisë, pjesëmarrësit patën mundësi që të mësojnë në mënyrë më të detajuar për shkeljet masive të të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës në Kosovë (1998-1999), si dhe kontekstin politik përpara ndërhyrjes së NATO-s si në Serbi, ashtu dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, nga historiania Marijana Toma. Ajo prezantoi fakte në bazë të vendimeve gjyqësore dhe statistikat e humbjeve njerëzore gjatë konfliktit të luftës në Kosovë (Libri i kujtimit i Kosovës), si dhe të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare për humbjet njerëzore gjatë ndërhyrjes së NATO-s.
Sipas këtij regjistrimi, në sulmet e NATO-s kanë humbur jetë 754 njerëz gjithsej, mes tyre 454 civilë dhe 300 pjesëtarë të forcave të armatosura. Mes civileve 207 ishin të kombësisë serbe dhe malazeze, 219 civilë shqiptarë, 14 romë dhe 14 të kombësive të tjera.
Gjithsej humbën jetë 274 pjesëtarë të UJ/MPB, dhe 26 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më pas, pjesëmarrësit e punëtorisë biseduan me Millosh Hrnjaz, profesor asistent në Fakultetin e Shkencave Politike nga Beogradi, për legalitetin e ndërhyrjes së NATO-s në 1999 nga perspektiva e së drejtës humanitare ndërkombëtare. Pjesëmarrësit e punëtorisë kështu patën mundësi të edukohen për kornizën ligjore të legalitetit të përdorimit të forcës, bazat e legalitetit në këtë rast, si dhe shqyrtimet nëse ndërhyrja e NATO-s ndaj RFJ në 1999 ka qenë humanitare në të vërtetë.
Ditën e dytë të punëtorisë, pjesëmarrësit vizituan vende në Nish, të cilat janë goditur më 7 dhe 8 Maj të vitit 1999 (Rruga Shumatovaçka, Tregu i luleve, Stacioni i autobusave ndërurban) duke biseduar me Marko Milosavljeviq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut për kulturën e monumenteve të kujtesës dhe statusin e viktimave civile të luftës. Le të kujtojmë, më 7 Maj 1999 forcat e NATO-s kanë gjuajtur objektet civile me bomba kasetë në Nish ku mbeten të plagosur 18, ndërsa të vrarë 16 civilë.
Në kuadër të shëtitjes së përkujtimit të viktimave të vitit 1999, pjesëmarrësit vendosën lule tek monumenti i viktimave civilë të ndërhyrjes së NATO-s në Nish. Më pas, leksionin e mbajti Filip Ejdus, profesor i asociuar në Fakultetin e Shkencave politike në Beograd. Nëpërmjet koncepteve të kujtesës historike dhe kolektive, regjimeve të së vërtetës, traumës dhe traumës së zgjedhur, ai parashtroi se pas 5 Tetorit të vitit 2000 është kthyer “regjimi i së vërtetës së Millosheviqit” për ndërhyrjen e NATO-s, ndaj ky regjim i së vërtetës bëhet gjithnjë e më pak i kontestuar ndërsa trauma e shoqërisë bëhet gjithnjë e më e madhe. Siç thotë Ejdus, ky regjim i së vërtetës është kthyer shumë shpejtë në një politikë zyrtare të kujtesës më së shumti nëpërmjet përkujtimeve qendrore shtetërore në ditën e fillimit të fushatës së NATO-s
Në fund të punëtorisë dyditore, dr Zoran Radovanoviq, epidemiolog dhe kryetar i Komitetit Etik të Shoqatës Serbe të Mjekëve, mbajti një orë publike për mitet dhe iluzionet e lidhjes shkak-pasojë midis ndërhyrjes së NATO-s dhe numrit e të sëmurëve nga kanceri si pasojë e përdorimit të uraniumit të varfëruar.
Përveç pjesëmarrësve të punëtorisë, në orën publike ishin të pranishëm edhe alumnistët e programit të Shkollës së të Drejtave të Njeriut për të Rinjtë dhe përfaqësuesit e Bordit për të Drejtat e Njeriut në Nish.
Punëtori e ardhshme e organizuar nga Nisma në kuadër të programit “E vërteta dhe pajtimi në Serbi” do të mbahet në Beograd me temën e njësive paramilitare në luftërat nga 1991 deri 1999. Detajet për mënyrën e aplikimit dhe mundësinë e pjesëmarrjes mund t’i lexoni këtu.