Dita e parë e udhëtimit studimor filloi në ambientet e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, ku Dushan Jovanoviq mbajti një leksion për gjenocidin e Srebrenicës në prani të pjesëmarrësve nga Novi Sadi, Zrenjanini, Vrnjaçka Banja, Çaçaku, Pançeva dhe Beogradi.
Gjatë pjesës së parë të leksionit pjesëmarrësit kishin mundësi të njiheshin me fillimin e luftës në Bosnja Hercegovinë, strukturën etnike të BH para dhe pas lufte, si dhe politikat të cilat kanë çuar deri në gjenocidin e Srebrenicës. Pjesa e dytë e leksionit iu kushtua rolit të komunitetit ndërkombëtar si dhe vetë ngjarjeve në dhe rreth Srebrenicës gjatë Korrikut të vitit 1995.
Gjatë leksioneve u shfaq një sërë dokumentaresh dhe videosh të cilat dëshmojnë për gjenocidin, si dhe janë përdorur edhe në proceset gjyqësore përpara Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ), për të cilat Jovanoviq kishte theksuar se janë autentikë dhe se edhe mbrojtja edhe prokuroria do të ishin dakord me këtë. Pjesëmarrësit kanë treguar interes të madh për këtë leksion dhe kanë nxitur diskutimin duke bërë pyetje për këtë temë.
Ditën e dytë të udhëtimit, grupi pati mundësi për të vizituar Qendrën Memoriale Potoçari, në kuadër të të cilit gjenden edhe varrezat ku të rinjtë kanë vendosur lule tek monumenti i viktimave të Srebrenicës, me mesazhin “Shumë të rinj për të kujtuar, por të vendosur për të mos harruar”.
Më pas, Azir Osmanoviq, kujdestar i Qendrës memoriale, e përcolli grupin në një ekspozitë të fotografive të Tarik Samarah, e cila dokumenton gjenocidin e Srebrenicës nëpërmjet disa segmenteve: Vrasjet, gërmimet e trupave nga varrezat masive, identifikimi i viktimave, varrosja e të vrarëve më 11 Korrik dhe dhimbja e familjeve të cilat kishin humbur më të afërmit e tyre.
Në kuadër të Qendrës memoriale, pjesëmarrësit gjithashtu patën mundësi për të vizituar fabrikën e dikurshme të baterive të makinave, e cila shërbente si selia e batalionit holandez të Kombeve të Bashkuara para dhe pas gjenocidit të Srebrenicës. Në ambientin e fabrikës më 11 Korrik të vitit 1995 ishin vendosur gati gjashtë mijë gra, fëmijë dhe pleq, dhe ky ambient shërben sot si dhomë përkujtimi e cila kujton viktimat e gjenocidit të Srebrenicës nëpërmjet fotografive, videove dhe rrëfimeve personale.
Në fund të vizitës në Qendrën memoriale Potoçari, Osmanoviq ua prezantoi pjesëmarrësve kontekstin historik të gjenocidit të Srebrenicës, dhe më pas grupi ka parë filmin “Një javë në Korrik” dhe ka vizituar ekspozitën e dështimit të komunitetit ndërkombëtar për të parandaluar gjenocidin e Srebrenicës. Filmi “Një javë në Korrik” ka shfaqur në mënyrë kronologjike faktet në lidhje me gjenocidin e Srebrenicës nga 11 deri 17 Korrik të vitit 1995 përmes dëshmive të viktimave dhe familjeve të tyre përpara TPNJ, si dhe videot nga Srebrenica pas rënies dhe hyrjes së Ushtrisë së Republikës Serbe në qytet.
Ditën e tretë dhe të fundit të udhëtimit studimor, Jovana Kolariq nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka mbajtur një leksion për pjesëmarrësit në lidhje me Shljivovicën dhe Mitrovo Polje, të cilët pas rënies së Srebrenicës në Korrik të 1995 shërbyen si kampe për Boshnjakët të cilët kanë arritur të shmangin gjenocidin dhe të kalojnë në territorin e Serbisë, duke menduar se Serbia do t’i mbronte duke marrë parasysh se nuk ishte palë zyrtare në luftë, dhe se në këtë mënyrë do ta kishin më të lehtë që të shkojnë në ndonjë shtet tjetër të huaj për të marrë statusin e refugjatit.
Pasi komanda e forcave të Ushtrisë së BH dhe organeve civile të Zhepës më 27 Korrik 1995 firmosi marrëveshjen e kapitullimit me Ratko Mlladiq, meshkujt e aftë për luftë kanë tentuar të kalojnë në territorin e Serbisë. Një pjesë e tyre ia dolën dhe menjëherë pasi hynë në Serbi u kapën nga ana e batalionit kufitar të Ushtrisë së Jugosllavisë nga ku u transportuan në një shkollë fillore në Jagoshticë dhe në ndërtesën e Departamentit të Punëve të Brendshme në Bajina Bashta.
Gjatë vitit 1995, komandanti i batalionit të XVI kufitar të UJ ka qenë gjeneral Ljubisha Dikoviq, kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë. Pas torturës së përjetuar atje, ata u transportuan me kamionë deri në Shljivovicë në komunën e Çajetinës ku ndodhej kampi nga muaji Gusht i 1995. U mbyl në Prill të vitit 1996. Nëpër kampin e Shljivovicës kanë kaluar 350 të burgosur të cilit kanë qenë të keqtrajtuar mendërisht dhe fizikisht, kryesisht nga ana e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ndërsa tre prej tyre kanë vdekur.
Kampi Mitrovo Polje, i cili ndodhet 180 kilometra larg Shljivovicës, ka qenë i hapur nga 4 Gusht i 1995 deri në Shkurt të 1996. Nëpër të kanë kaluar 450 të burgosur të cilët përjetonin tortura dhe keqtrajtime të ngjashme si në kampin e Shljivovicës, për më tepër që shumë prej tyre ishin viktimat e dhunës seksuale të dëshmuar nga të burgosurit e mbijetuar. Në këtë kamp ka vdekur dhe një i mitur nga pasojat e rrahjes.
Pas leksionit, grupi u drejtua për te lokaliteti i kampit Shljivovica, që ishte edhe aktiviteti i fundit në këtë udhëtim studimor. Kampi përbëhej prej dy barakave të cilat sot janë gati plotësisht të shkatërruara. Në vendin e kampit nuk ekziston asnjë lloj memorializimi që të përkujtojë tmerret e pësuara nga të burgosurit.