Drejtori i Qendrës Memoriale Srebrenica-Potoçari Emir Suljagiq deklaroi sot se gjenocidi në Srebrenicë nuk mund të lidhet vetëm me vrasjet masive të Boshnjakëve në korrik të vitit 1995, por bëhet fjalë për një vazhdimësi ngjarjesh nga maji i vitit 1992 deri në korrik të vitit 1995, gjatë luftës në Bosnja Hercegovinë.

“Ky shabllon i cili ka ekzistuar nga viti 1992 mori një hov të frikshëm, një intensitet të madh në korrik të vitit 1995”, tha Suljagiq gjatë një prezantimi online “Srebrenica:  Gjenocidi midis kujtesës dhe mohimit”.

Suljagiq tha se Qendra Memoriale do të përpilojë një listë të humbjeve njerëzore nga maji i 1992 kur Srebrenica u shpall enklavë e mbrojtur nga Kombët e Bashkuara.

“Duam të bëjmë këtë sepse, për shembull, njerëzit e vrarë më 6, 7 ose 8 korrik të 1995 nuk llogariten fare si viktimat e gjenocidit, për arsye të panjohura për ne”, tha Suljagiq.

Ai u shpreh se Qendra Memoriale Srebrenica-Potoçari në vit vizitohet nga 150 deri 200 mijë vizitorë, duke mos i llogaritur ata që vijnë në mënyrë të vetëorganizuar.

Sipas fjalëve të tij, për Srebrenicën duhet të flasim gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm në korrik të çdo viti.

Suljagiq tha se duhet përgjigjur ndaj pyetjes se çfarë ishte Srebrenica në ish-Jugosllavi dhe cilat janë reflektimet e Srebrenicës në hapësirën e shtetit të përbashkët të dikurshëm. 

Ai shtoi se arsimi është kyç kur bëhet fjalë për kulturën e kujtesës së gjeneratave të reja të gjenocidit të Srebrenicës dhe tha se arti dhe aktivizmi janë shumë të rëndësishëm për ndërtimin e një kulture të përhershme të kujtesës. 

“U ndjeva pak i rezignuar kur e kuptova se nga të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë, të vetmet reflektime të Srebrenicës ekzistojnë vetëm në Bosnja Hercegovinë dhe Serbi. Por unë në të vërtetë besoj tek e ardhmja, besoj tek gjeneratat e reja, besoj se ata do ta ndryshojnë këtë dhe nuk do t’u përsëritet ajo çka na ka ndodhur neve”, tha Suljagiq i cili është i mbijetuari i gjenocidit në Srebrenicë.

Ai shton se është “i habitur” sesi disa të rinj në Republikën Srpska me lehtësi marrin përsipër barrën e përgjegjësisë së individëve të cilët kanë kryer krimet e luftës dhe vlerëson se se kjo vjen si rezultat i sistemit të keq arsimor, i cili i është nënshtruar ideologjisë nacionaliste në pushtet.

 

Sipas fjalëve të tij, përderisa ekzistojnë klasat politike të cilat mohojnë gjenocidin, nuk do të bëhemi të aftë që të flasim për një paqe të përhershme dhe as për çfarëdo lloj të ardhmeje.

“Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë hap nga e para plagët e njerëzve që kanë mbijetuar gjenocidin” Qëllimi i mohimit është tregimi i historisë së viteve nëntëdhjetë dhe normalizimi i projekteve nacionaliste, si aspirata legjitime kombëtare dhe shtetërore”, vlerësoi Suljagiq.

Ai shton se qëllimi i mohimit të gjenocidit nuk është përcaktimi i diçkaje të re, por themelimi i një narrativi të bazuar mbi gënjeshtra dhe fiksion në mënyrë që ai të shërbejë si mënyrë për të “larë” një ideologji dhe një projekt i cili ka rezultuar me 100.000 të vdekur në Bosnja Hercegovinë dhe një milion të shpërngulur.

Ai tha se nuk kundërshton miratimin e ligjit për ndalimin e mohimit të gjenocidit në Srebrenicë, por shtoi se ky ligj duhet të përfshijë edhe mohimin e Jasenovacit dhe krimeve të tjera të ngjashme në historinë e kësaj hapësire.

“Por nuk jam i sigurt se kjo do të ndihmojë. Nuk do të konvertohen një milion njerëz për një natë, është një proces i gjatë i cili, mbi të gjitha, nënkupton arsim. Sistemi arsimor është ajo çka duhet të sulmojmë, me thonjëza. Ligji nuk është shkop magjik. Të gjitha këto që sot përbëjnë mohimin e gjenocidit, tashmë mund të ndëshkohen nëpërmjet ligjeve ekzistuese penale dhe të tjerave”, tha Suljagiq.

Ai vlerësoi se institucionet në shtetet e rajonit sillen si armiq ndaj organizatave të shoqërisë civile, të cilat merren me temat e ballafaqimit me të kaluarën e luftës dhe përgjegjësinë për krimet e luftës.

Ai tha se Qendra Memoriale mund të kishte punuar më shumë dhe në mënyrë më të përkushtuar sesi ka punuar deri tani.  

Prezantimi i Emir Suljagiqit u organizua nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi, në bashkëpunim me Forumin ZFD Serbi dhe Shoqatën e Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës

Emir Suljagiq ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, ndërsa doktoraturën e ka bërë në vitin 2009 në Hamburg në Institutin për Hulumtime të Paqes dhe Studime të Sigurisë.

Si njëri nga të rrallët që kanë mbijetuar gjenocidin e Srebrenicës, ai është i njohur për advokimin e tij për respektim të plotë të të drejtave të familjeve të viktimave të krimeve të luftës nëp Bosnja Hercegovinë.

Libri i tij, “Kartolinat nga varri”, është pasqyra e parë e gjenocidit në BH e botuar në gjuhën angleze.