Sot bëhen 27 vjet nga rrëmbimi dhe vrasja e 16 qytetarëve të Serbisë të kombësisë boshnjake nga Sjeverini. Sjeverinasit e vrarë ende nuk janë varrosur me dinjitet, të gjithë vrasësit ende nuk janë dënuar, kurse shteti i Serbisë nuk e njeh krimin e vetë.
Më 22 Tetor 1992, pjesëtarët e formacionit paramilitar “Osvetnici” (Hakmarrësit) në krye me Milan Lukiq, nga autobusi i linjës Priboj – Rudo, gjatë kalimit përmes territorit të Republikës së Serbisë në vendin Mioçe, tek kafeneja Amfora rrëmbyen 15 meshkuj dhe një grua, i çuan në Vishegrad, ku i kanë keqtrajtuar mendërisht dhe fizikisht, dhe më pas i kanë vrarë në breg të Drinës. Këta qytetarë të Serbisë janë vrarë vetëm sepse ishin Myslimanë.
Janë vrarë Severinasit: Mehmed Shebo, Zafer Haxhiq, Medo Haxhiq, Medredin Hoxhiq, Ramiz Begoviq, Dervish Softiq, Medhad Softiq, Mujo Alihoxhiq, Alija Mandal, Sead Pecikoza, Mustafa Bajramoviq, Hajrudin Sajtareviq, Esad Xhahiq, Ramahudin Gjatoviq, Ediz Giboviq dhe e vetmja grua në mes të tyre, Melvide Kolxhiq.
Për këtë krim janë dënuar përpara gjykatës në Serbi: Milan Lukiq dhe Oliver Krsmanoviq (në mungesë) dhe Dragutin Dragiqeviq në nga 20 vjet, ndërsa Gjorgje Sheviq në 15 vjet burg. Për fat të keq, Tribunali i Hagës nuk u mor me këtë krim.
Gratë në të zeza dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut janë të mendimit se as gjykata e shkallës së parë e as Gjykata Supreme nuk e kanë pranuar se të dënuarit ishin pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Serbe, e cila financohej, organizohej dhe mbështetej nga Ushtria e atëhershme e Jugosllavisë. Gjykatat e kanë fshehur përgjegjësinë e shtetit, edhe pse ajo u vërtetua gjatë gjykimit.
Në Ligjin e Mbrojtjes së Viktimave Civile të Luftës nuk ka viktima të Sjeverinit, duke qenë se ky ligj i turpshëm nuk i njeh qytetarët e vendit të vetë si viktimat civilë të luftës, sepse lufta nuk ishte në territorin e Serbisë, viktimat janë rrëmbyer në territorin e Bosnja Hercegovinës dhe sepse viktimat nuk janë vrarë nga pala armiqësore në konflikt. Nga shteti i Serbisë kërkojmë që të fillojë me dëmshpërblimet e anëtarëve të mbijetuar të familjeve të viktimave nga Sjeverini.
Në emër të drejtësisë, në emër të dinjitetit të viktimave, kërkojmë nga Serbia që t’i arrestojë autorët, urdhërdhënësit dhe komandantët e tyre. Derisa të ballafaqohet Serbia me këto dhe krimet e tjera të kryera në emrin tonë, do të mbetet shtëpi e sigurt për kriminelët e dënuar të luftës dhe oazë padënueshmërie.