Pamjet e përshëndetjes së Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe Porfirije në rrugët e Prizrenit dërgojnë mesazh pozitiv të respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës paqësore; imazhe dhe ndjenja që japin shpresë për të ardhmen e marrëdhënieve brenda dhe ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. I lavdërojmë të gjitha palët për qasjen e tyre konstruktive – në veçanti Gazmend Muhaxherin, kryetarin e komunës së Pejës, i cili mori pjesë në ceremoni – dhe shpresojmë që mbi këto themele mund të ngrihen përpjekje të mëtejme.
Mirëpo, ne gjithashtu bëjmë thirrje për përparim të prekshëm në një sërë fushash të tjera. Në Kosovë, ekziston një mungesë thelbësore e dialogut dhe bashkëpunimit përmes institucioneve të zgjedhura. Parlamentarët e Listës Srpska (Srpska Lista) po dështojnë të përfaqësojnë nevojat e komunitetit serb të Kosovës. Mungesa e vazhdueshme e deputetëve të tyre në Kuvendin e Kosovës do të thotë që zgjedhësit e tyre dhe problemet e përditshme me të cilat ballafaqohen nuk po shprehen në mënyrë efektive. Ne bëjmë thirrje për kthimin e menjëhershëm dhe pjesëmarrjen aktive të Listës Srpska.
Sot, shumë marrëveshje thuajse nuk përmenden fare. Ura kryesore në Mitrovicë mbetet e mbyllur për qarkullim, pavarësisht investimeve të shumta të BE-së. Të dyja palët do të duhej të angazhohen për zgjidhjen e demarkacionit të Mitrovicës së Veriut, gjë që ka penguar procesin e rihapjes. Duhet të ndërmerren hapa shtesë për të siguruar që Ura të shërbejë si një hapësirë gjithëpërfshirëse dhe e përbashkët që lidh njerëzit nga të dyja anët e lumit Ibër.
Për sa i përket çështjes së targave, të gjitha palët do të duhej të punojnë në mënyrë konstruktive për të gjetur një zgjidhje që nuk do të dëmtojë qytetarët. Pikat e reja të kalimit për të cilat është rënë dakord më parë duhet të hapen menjëherë për të lehtësuar udhëtimin e qytetarëve pa kaluar distanca dhe vonesa të panevojshme. Fluksi i lirë i qytetarëve do të duhej të jetë pjesë themelore e normalizimit të marrëdhënieve.
Njohja reciproke e diplomave ka ngecur, duke çuar në mungesë të stafit jetik në institucionet kryesore publike në Serbinë jugore dhe në Kosovë, për shembull, duke përfshirë ata që kanë të bëjnë me shëndetësinë, arsimin, drejtësinë dhe aksesin në shërbime më gjerësisht. Ky është shembulli më i thekshëm i pasojave të moszbatimit të asaj që është rënë dakord dhe do të duhej të trajtohet pa vonesa të mëtejshme.
Në Serbinë jugore, ekziston ndjesia se integrimi i komunitetit shqiptar po dëmtohet nga marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Plani prej shtatë pikash për integrim do të duhej të jetë prioritet për qeverinë e re të Serbisë, duke përfshirë përfshirjen e përfaqësuesve shqiptarë në Trupin Koordinues të saj për komunat Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Shqetësimet që kanë të bëjnë me kryerjen e regjistrimit të popullsisë në Medvegjë do të duhej të adresohen menjëherë dhe do të duhej të bëhet një rishikim i plotë i procesit të pasivizimit.
Ne, të poshtë-nënshkruarit, mbështesim plotësisht çdo proces që mund të japë vrull të ri dhe energji pozitive dhe nga i cili mund të përfitojnë qytetarët nga të gjitha sferat e jetës. Ndërtimi i besimit dhe konfidencës është jetik për marrëdhëniet brenda dhe ndërmjet komuniteteve në të ardhmen.
Nënshkruesit:
- Advocacy Center for Democratic Culture, (ACDC) North Mitrovica
- AKTIV
- Balkan Forum
- Belgrade Centre for Security Policy (BCSP)
- Civic Initiatives, Belgrade
- Centre for Peace and Tolerance (CPT)
- Community Building Mitrovica (CBM)
- European Center for Minority Issues Kosovo (ECMI)
- European Movement in Serbia (EMIS)
- European Fund for the Balkans (EFB)
- Foundation BFPE for a Responsible Society (BFPE)
- Gorazdevac Media Group
- Human Center Mitrovica
- Junior Chamber International Prizren (JCI- Prizren)
- Jelena Loncar, Akademike nga Universiteti i Beogradit
- Kosova info
- Lawyers’ Committee for Human Rights (YUCOM)
- Mitrovica Women Association for Human Rights (MWAHR)
- Ministria e Lajmeve Preshevë
- NGO Be Active 16 Preshevë
- NGO Integra
- Peer Educators Network (PEN)
- Pozitiv 365 Preshevë
- Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
- Qendra për Demokraci dhe Edukim – Lugina
- Qendra Kosovare për Studime Gjinore
- Qendra Mediale Çagllavicë
- Rahim Salihi, Aktivist i shoqërisë civile
- Radio Astra Prizreni
- Radio Peja
- Sbunker
- Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës
- TV Prizreni
- The Future Bujanoc
- Valon Arifi, aktivist i shoqërisë civile, Bujanovac
- Vjollca Krasniqi, Akademike nga Universiteti i Prishtinës
- Voice of Roma, Ashkali and Egyptians (VoRAE)
- Youth Initiative for Human Rights (YIHR) Kosovë
- Youth Initiative for Human Rights (YIHR) Serbia
- Youth Trails Preshevë